Europa League, kompeticioni i Canës

01/12/2011 00:00

Europa League po profilizohet si kompeticioni i Lorik Canës te Lacio. Në
ndeshjen e sotme kundër Vasluit, mesfushori shqiptar do të zbresë në
formacionin titullar, pas qëndrimit në stolin e rezervave gjatë
ndeshjeve të Serisë A.

Siç është e qartë prej disa ditësh, trajneri Edi Reja ka ndërmend të zbresë në fushë Lacion më të mirë, ose pothuajse, në prag të ndeshjes decizive të Europa League, sonte në mbrëmje në Rumani kundër Vasluit. Në fakt, të vetmin përjashtim në krahasim me skuadrën që luan javë për javë në Serinë A e përfaqëson aktivizimi i Lorik Canës në mesfushë në vend të Ledezmas. Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, i mbërritur te Lacio me shumë bujë në merkaton e kësaj vere nga turqit e Gallatasarait si shkëmbim me portierin Muslera, i ka tradhtuar deri tani pritshmëritë, por trajneri i lacialëve dëshiron të mbështetet te dëshira e tij për të rigjetur veten dhe mbi të gjitha tek eksperienca e tij, që në ndeshje të kësaj natyre mund të rezultojë një armë fondamentale. Në ndeshjen e fundit të luajtur në Europa League, pikërisht në fitoren me shumë vuajtje kundër zviceranëve të Zyrihut, Cana kishte dhënë përshtypjen e ndonjë sinjali ringjalljeje, edhe pse ishte një sinjal jo shumë i fortë. Europa League duket se është shndërruar në kompeticionin e vetëm, ku Cana ka mundësinë të luajë në këtë pjesë të parë të sezonit te Lacio. Në fakt, trajneri Edi Reja nuk duket shumë i kënaqur me paraqitjet e futbollist shqiptar. Menjëherë pasi e bleu, e provoi në disa ndeshje miqësore, ku ai nuk është se shkëlqeu. Më pas Reja e la jashtë formacionit titullar në kampionat, ku ndeshjet e luajtura nga Cana numërohen me gishtat e njërës dorë, ku në disa është aktivizuar si zëvendësues. Ndërsa në Europa League, pas mungesë në ndeshjen e parë pikërisht ndaj Vasluit, në tri takimet e tjera Cana ka luajtur si titullar. Pjesa tjetër e formacionit është e përshtatur edhe për faktin se në skuadër ka disa mungesa të rëndësishme, si ato të Dias dhe Mauri. Marketi do të mbrohet nga linja me katër lojtarë e repartit difensiv të formuar nga Konko, Diakitè, Biava e Radu. Ndërsa në rombin e mesfushës, para mbrojtjes do të luajë Cana, në krahë Gonzalez e Luliç. Hernanes do të jetë i pozicionuar menjëherë pas dy sulmuesve Klose e Cise, të cilët kanë si detyrë të minojnë mbrojtjen rumune.

Top Channel