Pique rrezikon ndeshjen ndaj Real Madrid

30/11/2011 09:55

Barcelona fitoi me rezultatin e pastër 4-0 ndeshjen ndaj Rayo Vallecano të luajtur të martën në mbrëmje, e vlefshme për javën e 17 të Ligës BBVA.

Kjo ndeshje është luajtur më parë për shkak se katalanasit do të jenë në Japoni për Botërorin e Klubeve në mesin e dhjetorit, atëherë kur duhej të luanin ndaj Rayo-s sipas programit të kampionatit spanjoll.

Alexis Sanchez me dy gola, Leo Messi dhe David Villa shënuan golat për ekipin blaugrana që ngushton diferencën në tre pikë me kryesuesit e Real Madrid.

Por, në minutën e 83 të takimit mbrojtësi Gerard Pique vonoi nisjen e lojës duke detyruar arbitrin e ndeshjes që t’i jepte kartonin e verdhë. Ky ndëshkim ishte i pesti i ciklit dhe do të bëjë që Pique të mos luajë ndaj Levantes të shtunën në mbrëmje dhe teorikisht të jetë “i pastër” për supersfidën e ardhshme ndaj Real Madrid në Santiago Bernabeu (10 dhjetor).

Teorikisht sepse sipas nenit 112 të kodit disiplinor, lojtari që provokon kartonin e pestë të verdhë mund të ndëshkohet me një ndeshje shtesë dënim përveç pezullimit për plotësim kartonash.

Nëse arbitri do të shkruajë në raportin e tij se Pique vonoi lojën me qëllim për të marrë kartonin e pestë, atëherë qendërmbrojtësi mund të mos jetë në fushë në ndeshjen klasike të Spanjës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA