Libi, rebelët mbajnë 7 mijë të burgosur

29/11/2011 08:45

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka denoncuar ish-rebelët libianë se mbajnë ende të burgosur rreth 7 mijë persona.

Të burgosurit po mbahen pa pasur mundësi për një proces ligjor për shkak se policia dhe gjykatat nuk po funksionojnë dhe dyshohet se shumë prej tyre janë torturuar.

Një pjesë e tyre janë afrikanë nën-saharianë, që dyshohet se kanë punuar si mercenarë të punësuar nga regjimi i kolonelit Muammar Gaddafi.

OKB deklaron se qeveria e re libiane i është përgjigjur pozitivisht kërkesës për të trajtuar këtë problem.

Raporti, i hartuar nga vetë sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon, vlerëson se rreth 7 mijë të burgosur në Libi mbahen në burgje që janë nën kontrollin e brigadave revolucionare.

“Ndërsa Këshilli Kombëtar i Tranzicionit ka marrë disa hapa drejt kësaj cështjeje, duke transferuar përgjegjësinë për të burgosurit nga brigadat tek autoritetet shtetërore, shumë punë mbetet për të përmirësuar sistemin e burgjeve, parandalimin e abuzimeve dhe lirimin e personave të caktuar, burgimi i të cilëve nuk duhet të zgjatet”, thotë raporti.

Shefi i Pallatit të Qelqtë shpreh besimin se, liderët e Libisë së re janë të angazhuar për të ndërtuar një shoqëri të bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut.

“Përmbushja e këtyre kritereve kërkon një aksion sa më të shpejtë, sado të vështira të jenë rrethanat, me qëllim dhënien fund të burgimit arbitrar dhe abuzimeve e diskriminimit, si ndaj vendasve ashtu edhe ndaj të huajve”, thotë më tej raporti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA