Berlusconi: Kthehem si president i Milanit

29/11/2011 20:10

“Do të rikthehem në postin e presidentit të Milanit”. Kështu është shprehur Silvio Berlusconi, ish-kryeministri i Italisë, i cili tashmë është i lirë nga impenjimet e qeverisë.

“Së shpejti do të rimarr presidencën e Milanit. Jam presidenti që ka fituar më shumë në historinë e futbollit. I dyti është Santiago Bernabeu, i cili ka fituar gjysmën e trofeve që kam fituar unë”, u shpreh “Kavalieri” për mediat italiane.

Silvio Berlusconi erdhi në krye të Milanit në vitin 1986 duke e shpëtuar klubin kuqezi nga falimentimi. Duke emëruar trajner Arrigo Sacchi-n dhe me blerjen e trios hollandeze Van Basten-Gullit-Rijkaard, Berlusconi hapi ciklin më të suksesshëm të historisë së Milanit.

Me të si president, kuqezinjtë kanë fituar 8 kampionate të Serisë A italiane, një Kupë Italie, 5 Superkupa Italie, 5 Liga Kampionesh, 5 Superkupa Europe 2 Kupa Interkontinentale dhe një Botëror për Klube.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA