Një shpërthim i fuqishëm në një hotel të Zamboangës, në Filipine, ka shkaktuar 3 të vdekur dhe dhjetëra persona të tjerë të plagosur.
Shpërthimi i shkaktuar nga një bombë ka shkatërruar hotelin dykatësh Atilano Pension House dhe dy prej të plagosurve janë në gjendje kritike për jetën sipas kryebashkiakut Celso Lobregat.
“Nuk duhet të na zërë paniku sepse ky është pikërisht qëllimi i këtyre keqbërësve”, u shpreh Lobregat.
Inspektori Cesar Memoracion ka bërë të ditur se kishte lajmëruar pronarin e hotelit për një atentat të mundshëm me bombë. Në janar të vitit 2010, një tjetër bombë ka shpërthyer në këtë hotel duke vrarë tre militantët islamikë që po tentonin ta vinin atë në një nga dhomat.
Zamboanga është një qytet ku të krishterët kanë shumicën dhe ndodhet në një rajon të paqëndrueshëm nga konfliktet me islamikët.
Top Channel