Egjipti mes votimit dhe protestave

28/11/2011 23:00

Procesi i votimit në Egjipt është zgjatur edhe dy orë. Në disa zona të vendit, rradhët i kalojnë tre kilometer. Këto janë zgjedhjet e para parlamentare pas rrezimit të Presidentit Hosni Mubarak, në muajin shkurt.

Në disa qendra votimi janë shënuar probleme që lidhen me vonesat në shpërndarjen e fletë-votimeve, mungesës së bojës apo përfaqesuesve të komisioneve.

Në shkelje të plotë me rregulloren e zgjedhjeve, jashtë disa qendrave të votimit janë shpërndare fletë-palosje të kandidatëve të partive. Gjithashtu është raportuar se në Kajro dhe Port Said, numri korrespondues i secilit kandidat është ndryshuar.

Protestuesit që kanë pushtuar sheshin “Tahrir” në Kajro kanë vendosur të bojkotojnë procesin.Votuesit në nënte provinca, përfshirë Kajron, Port Said, Aleksandrinë dhe Asiut do të votojnë  edhe të martën,  faza e parë e një procesi që do të zgjasë deri në muajin mars.

Provinca të tjera do të votojnë në dhjetor dhe deri në fillim të janarit, për të zgjedhur Asamblenë e Popullit me 508 anëtarë. Votimi për Dhomën e Lartë zhvillohet fill pas përfundimit të fazës së parë, ndërsa zgjedhjet presidenciale do të zhvillohen në mesin e vitit 2012.

Të paktën 50 milionë njerez kanë të drejtë vote nga 85 milionë.  Ndërsa janë regjistruar 50 parti politike. Parlamenti i ri do të ketë një bllok të fuqishëm islamik të drejtuar nga “Vllazëria Muslimane”, grupime liberale si dhe disa relike të partisë së vjetër të Mubarak.

Rezultatet zyrtare nga faza e parë e votimit do të bëhen publike të mërkurën, por përbërja e Dhomës së Ulët dhe të Lartë të parlamentit të Egjiptit nuk do të mësohet deri në muajin mars.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA