Botërori i Formulës 1, notat e vitit

28/11/2011 17:00

Një Botëror i ngjeshur i Formulës 1 përfundoi ditën e dielë me fitoren e të zakonshmit Sebastian Vettel në Brazil. Piloti gjerman dhe Red Bulli i tij kanë qenë dominues të plotë gjatë të gjithë vitit, ndërsa Ferrari u përball me një prej viteve të tij më zhgënjyes. Ky është bilanci total i kampionatit.

Vettel-Red Bull. Nota 10
Një sezon për “Oscar”, për gjermanin dhe makinën e tij, që vendosën një dominimin që nuk ishte parë prej shumë kohësh në Formulën 1. Shifrat flasin qartë. Kampioni i dyfishtë i botës arriti të nisej 15 herë i pari në garat e vitit, një rekord absolut ky. Vettel regjistroi 11 fitore dhe vetëm në dy raste mbeti jashtë podiumit, në Gjermani dhe në Abu Dabi, ku u shënua edhe tërheqja e vetme nga gara. 24 vjeç, piloti thotë se ka ende shumë për të mësuar, por nëse në këto dy sezone ai ka fituar pa dhënë maksimumin, atëherë pilotët e tjerë janë në telashe të mëdha.

Gomat Pirelli. Nota 9
Të provuara për herë të parë në sezonin e sapombyllur, ato kryejnë një debutim të shkëlqyer, shumë më të mirë se Bridgestone apo Michelin, në sezonet e mëparshme. Kompania italiane e prodhimit të gomave, në fakt, arriti të prodhonte goma të qëndrueshme dhe të afta për t’u përshtatur me të gjithë kushtet në pistë, një sfidë e vështirë në një Botëror të gjatë si ai i Formulës 1.

Button dhe Alonso. Nota 8
Një sezon i vështirë ky për Jenson Button dhe Fernando Alonso, por që gjithsesi arrrijnë të marrin më të mirën nga makinat e mbetura larg pritshmërive të tyre. Nëse Button lë pas në renditje pilotin kryesor të skuadrës McLaren, Leëis Hamilton, Alonso arrin të marrë një fitore dhe të bëjë të paktën krenare Ferrarin në shumë gara të këtij sezoni. Në fund, në një sport si Formula 1 diferencën e bën makina, por pa Alonson dhe Button, sezoni i dy skuadrave të tyre mund të kishte kaluar shumë më në errësirë.

Spektakli. Nota 6.
Në bazë të kërkesës së vetë Ecclestone, gomat që konsumohen brenda pak xhirosh ndihmuan për të shtuar parakalimet, por shumë gara, gjithsesi mbetën shumë të mërzitshme. Shtimi i garave për shkaqe financiare prodhoi gjatë sezonit edhe një efekt bumerang, pasi në katër garat e fundit nuk u luajt më për asgjë. Në këto kushte, e vetmja ide që mbase mund të ndihmojë për të rritur spektaklin është ajo e mbipopullimit të pistës, nëpërmjet lejimit të pjesëmarrjes së makinës së tretë për të gjithë konkurrentët.

Mercedes e Ferrari. Nota 5
Kalimi nga një Botëror të humbur në garën e fundit në vitin 2010, në rënien në fuqinë e tretë në pistë, është një hap i hidhur pas. Ferrari e këtij sezoni ishte një hije e vetvetes dhe nuk arriti asnjëherë të ngrihej në nivelin e duhur për të luftuar ose kufizuar supremacinë e Red Bullit. Një zhgënjim më vete edhe ai i pilotit të tyre, Felipe Massa, paraqitjet e dobëta të të cilit pritet të sjellin edhe aventurën e brazilianët tek “kokëkuqja”. Ndërsa situata nuk shkoi mirë tek Ferrari, as Mercedes nuk mund të qeshë. Skuadra gjermane shpenzoi shumë para, me qëllimin që të ndërtonte një makinë konkurruese, por Schumaker dhe Rosberg mbetën pilotë në gjendje për të luftuar vetëm për pikë midis dhjetë vendeve të para, duke e mbyllur vitin pa asnjë podium.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA