Tetë futbollistë të një prej skuadrave elitare të futbollit në Togo mbetën të vrarë, pasi autobuzi me të cilin udhëtonin doli jashtë rruge, u rrotullua rreth vetes dhe mori flakë, bënë të ditur burime zyrtare gjatë ditës së dielë.
Aksidenti ndodhi rreth 150 kilometra në veri të kryeqytetit Lome, pranë qytetit të Atakpames. Skuadra e Etual Filantes ishte duke udhëtuar për të zhvilluar një ndeshje kampionati. 13 futbollistë dhe antarë të tjerë të stafit mbetën të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë.
Sipas të mbijetuarve, gjithçka ndodhi kur një gomë e mjetit shpërtheu papritur, duke shkaktuar humbjen e kontrollit të autobuzit prej drejtuesit të tij. “Nuk e dimë ende se si mundëm të mbijetonim. U krijua një zjarr i frikshëm”, deklaroi portiere Mama Souleyman.
Imazhe të televizionit kombëtar të Togos treguan pamje nga autobuzi i shkrumbuar krejtësisht. Një vit më parë, dy antarë të kombëtares së futbollit dhe një shofer autobuzi mbetën të vrarë, pasi një rebel qëlloi ndaj tyre gjatë zhvillimit të Kupës së Kombeve të Afrikës, në Angola.
Historia e futbollit togolez është e mbushur edhe me tragjedi të tjera. Në vitin 2007, ministri i sporteve të vendit afrikan, Richard Attipoe, mbeti i vrarë së bashku me 22 tifozë, kur helikopteri i tyre pësoi një aksident në Sierra Leone, ndërsa po udhëtonin të qëndruar pranë skuadrës në një ndeshje kualifikuese të Botërorit.
Top Channel