Marok, fitojnë islamikët e moderuar

26/11/2011 21:35

Islamikët e moderuar në Marok, të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, PJD, kanë fituar zgjedhjet parlamentare.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm maroken, sipas të cilëit PJD ka siguruar 80 vende në Parlamentin me 395 vende gjithësej.

Sipas burimit, kjo fitore e bën atë partinë më të madhe dhe i jep të drejtën për të udhëhequr qeverinë.

Këto zgjedhje janë pjesë e reformave përmes të cilave Mbreti Mohamed VI shpreson të qetësojë protestat që shpërthyen me nisjen e Pranverës Arabe.

“Ne falenderojmë marokenët që votuan për PJD-në dhe jemi shumë të kënaqur”, deklaroi kryetari i partisë Abdelilah Benkirane për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Benkirane kishte parashikuar më përpara se partia e tij do të fitonte 90 deri në 100 vende në Parlament.

Në bazë të kushtetutës së re të miratuar në korrik, Mbreti Mohamed VI duhet të caktojë kryeministrin nga radhët e partisë që ka më shumë vota dhe jo të caktojë këdo që dëshiron ai.

Megjithatë, mbretit do t’i mbetet e drejta të thotë fjalën e fundit për cështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen, sigurinë dhe fenë.

Kryeministri aktual i Marokut, Abbas Al Fassi tha të shtunën se partia e tij nacionaliste, Istiqlal, është e gatshme të hyjë në koalicion me PJD-në.

“Fitorja e PJD-së është një fitore për demokracinë”, deklaroi ai për agjencinë e lajmeve “Reuters”. Istiqlal rezulton se ka fituar 45 vende në Parlament.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA