LA, ultimatum lëvizjes së “pushtuesve”

26/11/2011 17:00

Kryetari i bashkisë së Los Anxhelosit u ka dhënë aktivistëve të lëvizjes Pushtoni Wall Street kohë deri mesditën e së hënës për të hequr kampet e tyre.

Megjithatë, ai është shprehur se shpreson që të shmangen përballjet mes policisë dhe protestuesve, të cilët janë dëbuar edhe në qytete të tjera.

Antonio Villaraigosa bëri të ditur se afati skadon në 12:01 të së hënës, 20:01 me orën tonë, duke thënë se shpresonte për një “shpirt bashkëpunimi” nga protestuesit. Por këta të fundit, përmes një deklarate e kanë refuzuar propozimin e bërë nga kryetari i bashkisë.

“Lëvizja Pushtoni Los Anxhelosin shpreh refuzimin e saj ndaj këtij propozimi për të liruar parkun ku kemi ngritur kampet”, deklaroi protestuesi Jeremy Rothe Kushel për agjencinë e lajmeve “Associated Press”.

Policia do të jetë e pranishme në park gjatë gjithë fundjavës, për të paralajmëruar para kohe protestuesit, bënë të ditur autoritetet lokale.

Pavarësisht ultimatumit, kryebashkiaku Villaraigosa foli për lëvizjen e protestuesve me terma të padëgjuar shpesh nga autoritetet e zgjedhura në Shtetet e Bashkuara.

“Lëvizja është në një udhëkryq. Për “Pushtoni LA” është koha që të lëvizë nga kampet e ngritura në park dhe të përhapë mesazhin për drejtësi ekonomike. Ajo duhet të mbledhë sa më shumë firma nga njerëzit për të nxitur rivendosjen e ekuilibrave në shoqërinë amerikane”, deklaroi Villaraigosa.

Gjithashtu, kampi i lëvizjes, që aktualisht ka 485 tenda, nuk mund të qëndrojë më tej për shkak të mungesës së sigurisë shëndetësore dhe mirëmbajtjes, shtoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA