Egjiptianët janë të përcarë në lidhje me atë se kush duhet të udhëheqë vendin në këtë kohë krize.
Mijëra persona dolën sërish në rrugët e Kajros dhe në sheshin simbol “Tahrir” për të protestuar kundër Këshillit Suprem Ushtarak vetëm pak orë nga hapja e qendrave të votimit, ku pritet të dalë qeveria civile.
Protestuesit akuzojnë Këshillin Suprem se me ligjet që ka miratuar po
kërkon mbajtjen nën kontroll të qeverisë civile që do të vijë pas
zgjedhjeve dhe kërkojnë largimin e menjëhershëm të këtij Këshilli.
Por mijëra protestues të tjerë kanë dalë në rrugët e Kajros duke manifestuar pro Këshillit Suprem Ushtarak.
Megjithëse forca të shumta sigurie dhe ushtria ngritën barrikada për të ndarë dy grupimet dhe për të evituar incidentet, 2 persona humbën jetën.
Ndërkohë, Kamar Ganzuri, i emëruar kryeministër ditën e enjte nga Këshilli Suprem, deklaroi se Hussein Tantaui, marshalli që udhëheq Këshillin Suprem, nuk ka ndërmend të qendrojë në pushtet dhe se kërkon sa më parë transferimin e pushtetit tek një autoritet civil.
Por për këtë hap duhen mbajtur zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Qendrat e votimit pritet të hapen ditën e hënë dhe do të qendrojnë hapur për 48 orë.
Megjithëse shumë forca politike kanë shprehur dyshimet mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, autoriteti ushtarak nuk tërhiqet në lidhje me datën e mbajtjes së tij. Favorite në këto zgjedhje shihet partia “Vëllazëria Muslimane”, ndërkohë që pritet që një numër të konsiderueshëm të votave të marrin edhe islamikët radikalë.
Top Channel