Ultimatumi i vendosur nga Lidhja Arabe për Sirinë, për lejimin e një misioni vëzhgues në të kundërt përballje me sanksione, ka skaduar pa ndonjë përgjigje nga Damasku zyrtar.
Afati i përgjigjes ishte për në 11:00 të së premtes dhe Lidhja Arabe paralajmëroi se në rast të një përgjigjeje negative, do të mblidhej të shtunën për të diskutuar sanksionet.
Lidhja do që 500 vëzhgues të hyjnë në Siri për të monitoruar situatën që vazhdon të jetë e tensionuar nga protestat, por Damasku ka deklaruar se pranon vetëm 40 vëzhgues.
Ndërkohë, prova të reja kanë dalë në sipërfaqe, që tregojnë se protestat popullore po kthehen në rebelime të armatosura.
Korrespondenti i BBC, Paul Wood, që ka udhëtuar pa leje në qytetin sirian të Homsit, raporton se ka parë grumbullime të vogla të ushtarëve dezertorë.
Në aktet e fundit të dhunës në mbarë vendin u vranë të paktën 51 persona vetëm ditën e enjte, raportojnë aktivistët e të drejtave të njeriut.
Mbi 3500 persona kanë vdekur në këtë vend që nga nisja e protestave anti-qeveritare në muajin mars, vlerëson ndërkohë Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Qeveria e presidentit Bashar al Assad fajëson për dhunën grupe kriminale dhe militantë të armatosur, që sipas tij mbështeten nga fuqitë perëndimore.
Edhe televizioni publik sirian ka fajësuar gjithashtu militantët për një sulm të ndodhur të enjten, ku mbetën të vrarë gjashtë pilotë të një njësie elitë të aviacionit ushtarak.
Top Channel