Shqiptarët tashmë do të mund t’u paraprijnë sëmundjeve kancoregjene, sëmundjeve të trurit, të zemrës, diabetit, sëmundjeve të gjakut e të tjera, duke ruajtur qeliza dhe inde të kordonit umbilikal, e njohur në gjuhën popullore si kërthiza e bebes së sapolindur.
“Jemi krenarë që presim këtë projekt. Qelizat staminale janë baza e organizmit njerëzor. Procedura është shumë e thjeshtë, pasi lind fëmija nga kordoni umbilikal merren qelizat”, ka deklaruar gjinekologu Vasil Angjeli.
Sipas statistikave, në 20 vitet e fundit janë kryer më shumë se 20 mijë transplante me gjakun e kordonin umbilikal në të gjithë botën për trajtimin e tumoreve të gjakut, crregullimeve metabolike, etj.
Në spitalin “Hygeia”, në Tiranë do të zhvillohet të shtunën një konferencë me praninë e mjekëve gjinekologë më të njohur grekë e shqiptarë, të cilët do të diskutojnë mbi procedurën e mbledhjes dhe ruajtjes së qelizave staminale.
Spitali grek bashkëpunon me një nga bankat e ruajtjes së këtyre qelizave në Europë. Për herë të parë një mundësi e tillë u jepet edhe nënave shqiptare, të cilat duhet të vendosin kur sjellin beben në jetë nëse do të ruajnë qeliza nga kërthiza e bebes.
Këto qeliza ruhen si fillim 20 vjet, por është në dorën e prindërve të vendosin nëse do t’i ruajnë më gjatë qelizat staminale.
Top Channel