Policia në një qytet verior në Gjermani u detyrua të përdorë ujë me presion për të shpërndarë protestues të grumbulluar kundër mbërritjes së një treni me mbetje radioaktive nga Franca.
Demonstrata e nisur në orët e mbrëmjes së ditës së enjtes vazhdoi edhe të premten, ndërsa policia u detyrua të ndërhynte dhe të kryente disa arrestime, pasi antarët e forcave të rendit u goditën me fishekzjarrë dhe bojë.
Lëvizja anti-bërthamore u përpoq të bllokonte shinat e trenit në Metzingen, pranë uzinës së përpunimit. Rrugëtimi i trenit nisi me probleme të shumta edhe në Francë, ku protestuesit u përballën me policinë më parë gjatë javës, duke kërkuar që ai të qëndronte në vend, pasi paraqiste rrezik për shëndetin publik gjatë rrugës që përshkronte Francën mes për mes deri në destinacionin final në Gjermani.
Aktualisht, lëndët reaktive nuk janë futur ende në tokën gjermane, ndërsa treni ka ndaluar mbi shina pranë kufirit, në qytezën e Remilit. “Për momentin, nuk është e qartë se kur do të mbërrijë në destinacion”, deklaroi një zëdhënës i Ministrisë Franceze të Punëve të Brendshme.
Treni ishte i fundit nga 12 të tillë që janë nisur për trajtim në qëndrat e përpunimit në Gjermani. Megjithatë, protestuesit kanë bërë të qartë se një lëndë e tillë nuk mund të shpërbëhet e gjitha dhe se ajo do të duhet të depozitohet në nëntokën gjermane.
Pas incidentit të ndodhur më parë gjatë vitit të Fukushima, Kancelarja Merkel lajmëroi se vendi i saj do të heqë dorë nga energjia bërthamore brenda vitit 2020. Ndërkohë, Franca mbetet vendi më i varur në Bashkimin Europian nga kjo formë energjie.
Top Channel