Portugali, greva paralizon vendin

24/11/2011 09:00

Një grevë 24-orëshe në Portugali ka ndërprerë fluturimet dhe transportin publik, në shenjë proteste ndaj masave të propozuara kundër krizës ekonomike.

Kontrollorët e trafikut ajror dhe punëtorët në sistemin e metrosë së Lisbonës ishin të parët që u hodhën në grevë vonë gjatë së mërkurës.

Me ta pritet të bashkohen qindra mijëra punëtorë të tjerë, përfshirë mësuesit dhe stafet e spitaleve të vendit.

Parlamenti do të votojë javën e ardhshme planin për reduktimin e deficitit, të imponuar nga BE dhe FMN në këmbim të ndihmave financiare.

Greva pritet të jetë më e madhja në historinë e Portugalisë, ku aksionet e sektorëve industrialë janë të rrallë. Greva mbështetet nga dy sindikatat kryesore të punës, që përfaqësojnë mbi një milionë punëtorë në rang vendi.

Shumë portugezë janë të tronditur nga masat drastike që parashikohen në planin anti-krizë, deklaron korrespondentja e BBC në Lisbonë, Alison Roberts.

Qeveria propozon shkurtime të shpenzimeve për një sërë shërbimesh publike, përfshirë kujdesin shëndetësor dhe forcat e armatosura, si dhe ngritje taksash.

Gjithashtu është planifikuar anulimi i shpërblimeve për Krishtlindjet dhe festat e tjera, që ishin sa një rrogë mujore në sektorët kryesorë publik, si dhe rritja e orarit të punës me 30 minuta në sektorin privat, pa paguar kohën shtesë.

Ditën e diel, një protestë e paprecedent u mbajt nga ushtria portugeze në Lisbonë, pikërisht pas shkurtimeve të paralajmëruara në fondet e Ministrisë së Mbrojtjes. 

Portugalia është një prej vendeve të eurozonës, ekonomia e të cilave është në amulli. Ekonomia në këtë zonë u rrit me 0.2 për qind mes korrikut dhe shtatorit krahasuar me tremujorin e dytë të vitit. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA