Kriza financiare e koorporatës elektroenergjetike shqiptare e ka detyruar qeverinë të dërgojë me urgjencë në Kuvend dy ligje, të cilët synojnë të lehtësojnë sadopak buxhetin e KESH. Ligji i parë i heq kesh detyrimin të furnizojë me energji kompanitë me konsum mbi 50 milion kilovat orë në vit.
“Duke u nisur nga çmimet aktuale, KESH ia shet energjinë CEZ-it për dy lekë dhe këta të fundit e shesin me shtatë. Në rastin konkret, CEZ subvensionohet nga shteti me 35-40 milion euro në vit”, u shpreh në Parlament Ministri i METE-s, Nasip Naço.
Ky pohim i Ministrit të Energjetikës shkaktoi reagimin e ashpër të opozitës. Arben Ahmetaj tha se kjo skemë vërteton se shteti ka abuzuar me kompaninë e shpërndarjes. “Keshi ka subvencionuar CEZ-in për tre vite. Vetëm shuma e subvencioneve, pa llogaritur rritjet e çmimeve, do të thotë që janë falur 120 milion euro pasuri kombëtare. Energjia është një aset kombëtar dhe rrjeti i shpërdarjes i është falur një kompanie. Këtu ka nevojë për një hetim penal”.
Ligji i dytë e bën faturën e energjisë që KESH-i i shet CEZ-it si titull ekzekutiv të detyrueshëm, të ngjashëm si faturën që CEZ ka me konsumatorët. Kjo ndërhyrje në ligj ndihmon KESH-in të mbledhë borxhet që kompania e shpërndarjes ka ndaj tij.
“I gjithë ky borxh që flasim, që CEZ Shpërndarje i ka KESH-it, buron nga ai instrument që vetë Ministri i Financave ka nisur në 2007-n e që ka favorizuar një grusht kompanish në mënyrë selektive. Ju, në këtë parlament po pranoni se këtyre kompanive të mëdha, energjia u është shitur të paktën 20-30% më lirë se pensionistëve dhe çdo shqiptari”, replikoi deputeti i PS-së, Erjon Braçe.
”Shndërrimi i faturës së KESH-it ndaj CEZ-it në titull ekzekutiv do të zgjidhte në mënyrë automatike problemet”, mbrojti Ministri Naço. ”Me këtë titull, përfaqësuesi i KESH-it shkon në gjykatë dhe zyrat e përmbarimit zgjidhin menjëherë çështjen”.
Sistemi energjetik në vend është zhytur në një zinxhir borxhesh të ndërsjellta. Sipas qeverisë, CEZ ka 58 milionë euro borxh ndaj KESH-it dhe 20 milionë të tjera ndaj operatorit të transemtitmit, ndërkohë që KESH i detyrohet bankave 70 milionë euro kredi.
Nga ana tjetër, entet shtetërore i kanë borxh CEZ-it 20 milionë euro. Momentalisht KESH-i është duke importuar energji me çmime të larta për shkak të thatësirës dhe shet me çmim të ulët ndaj CEZ-it, çka po thellon me shpejtësi krizën financiare të kompanisë duke rrezikuar vendin me një krizë energjetike. Votimi i ligjeve u shty për nesër.
Top Channel