Roma, e konsideruar si kryeqyteti i kulturës dhe artit në kontinentin e vjetër, është tronditur së fundmi nga një seri vrasjesh që iu atribuohen organizatave kriminale.
Ngjarjet në fjalë kanë bërë që mes autoriteteve të shpërthejnë polemikat mbi sigurinë e kryeqytetit, që vizitohet vazhdimisht nga shumë turistë.
Ndërsa mediat italiane nuk kanë hezituar ta etiketojnë Romën si “roman kriminal”, duke iu referuar kështu historisë së organizatës së Malianës, një bandë që në vitet ’70 mori nën kontroll operacionet e krimit të organizuar.
Vetëm të martën në zonën e Ostias të kryeqytetit italian u vranë me armë zjarri dy eksponentë të njohur të krimit të organizuar lokal.
Vrasja e këtyre personave, të identifikuar si Francesco Antonini dhe Giovanni Galleoni, zgjat vijën e gjakut të shënuar pas vrasjeve të tjera të tipit mafioz të ndodhura muajin e kaluar.
Dy eksponentët e krimit u eleminuan gjatë pasdites në një restorant. Ata njiheshin nga forcat e rendit për veprime të tipit mafioz si fajde, zhvatje dhe trafik droge.
Kryetari i bashkisë së Romës, Gianni Alemano ka bërë përgjegjës për situatën zyrtarët e Ministrisë së Brendshme dhe policisë, të cilëve, tha ai, u kishte kërkuar që pas vrasjeve të para marrjen e masave më të rrepta.
Ndërsa shefi i antimafias, prokurori Pietro Grasso deklaroi pas vrasjeve të muajit të kaluar se krimet në fjalë janë të profilit të lartë, duke pasur parasysh investimet e organizatave mafioze në kryeqytet.
Top Channel