OKB dënon ashpër dhunën në Egjipt

23/11/2011 15:15

Shefi i të drejtave të njeriut në OKB, Navi Pillay, dënoi rëndë gjatë të mërkurës forcën e tepërt të përdorur nga autoritetet për të shtypur revoltat në Egjipt.

30 persona kanë humbur jetën në demonstratat kundër instancave ushtarake që drejtojnë përkohësisht vendin dhe mbi 1 800 janë plagosur. Në emër të institucionit që përfaqëson, Pillay kërkoi gjithashtu një hetim të detajuar dhe të pavarur të rrethanave në të cilat kanë ndodhur fatkeqësitë.

”I kërkoj autoriteteve egjiptiane që të ndërpresin menjëherë forcën e tepër të treguar ndaj protestuesve në sheshin Tahrir dhe kudo tjetër në vend. Përdorimi i gazit lotsjellës, i plumbave të gomës dhe municioneve të vërteta pa kriter është me të vërtetë një faktor shumë shqetësues”, theksoi komisioneri për të drejtat e njeriut. “Disa prej imazheve të regjistruara në Kajro, sidomos rrahja brutale e protestuesve të dorëzuar, janë me të vërtetë shokuese”.

Me dhjetëra mijëra egjiptianë janë duke protestuar ndaj Këshillit Suprem Ushtarak, i cili, sipas tyre, është duke uzurpuar pushtetin dhe duke vendosur në vendin një juntë ushtarake. Megjithatë, partia e Vëllazërisë Muslimane, grupimi me më shumë ndikim në vend, nuk marrin pjesë në revolta.

Ishte pikërisht ndërhyrja e ushtrisë ajo që vendosi rrezimin e regjimit autoritar të Mubarakut, në muajin shkurt. Këshilli Suprem ka konfirmuar se zgjedhjet parlamentare të së dielës do të mbahen siç është parashikuar, ndërsa ato presidenciale janë vendosur për në qershor 2012.

Më parë gjatë javës, autoritete e përkohshme pranuan dorëheqjen e kabinetit dhe formimin e një qeverie të re provizore, por lëvizja duket se nuk i ka qetësuar protestuesit në sheshin Tahrir.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA