Presidenti i Komisionit Europian, paraqiti planin për Eurobondet, i cili kundërshtohet me forcë nga Gjermania.
Përmes tij, Zhose Manuel Barroso kërkon më shumë kontroll të buxheteve të vendeve brenda eurozonës, për të shmangur kriza apo plane shpëtimi. Kjo mund të arrihet, sipas Barrosos përmes një qeverisje më të fortë.
“Kriza ka dëshmuar se pa qeverisje të fortë në zonën euro, do të jetë e vështirë apo e pamundur të ruajmë monedhën e përbashkët. Mesazhi që tregjet dhe investitorët po japin është padyshim për borxhin, është për deficitin, por edhe për një qeverisje më të fortë dhe disiplinën. Kësisoj mendoj se është tamam koha të ecim përpara me propozimet për vendet anëtare për të pranuar, e thënë sinqerisht, shumë e vështirë për t’u pranuar në kohë të mira”, tha Presidenti i KE, Zhose Manuel Barroso.
Komisioni, apo ezekutivi i Bashkimit Europian paraqiti një projekt/dokument cka do të lejojë rishikimin e projekt/buxheteve të anëtarëve të eurozonës, nga mesi i Tetorit dhe të kërkojë ndryshimin e tyre nëse nuk përputhen me buxhetin e Bashkimit Europian.
“Bondet e stabilitetit janë pikërisht një shembull i qeverisjes së fortë, vullnetit të fortë për të jetuar së bashku në zonën euro, një shembull i mirë i disiplinës dhe konvergjencës”, shtoi Barroso.
Gjermania, ekonomia më e madhe e eurozonës kundërshton fuqimisht idenë e borxhit të përbashkët, sepse, sipas të gjitha gjasave, do t’i takojë të mbajë barrën kryesore.
Ministri Gjerman i Financave, Vofgang Shauble tha se Eurobondet nuk do të zgjidhin krizën e borxhit dhe do të ulin presionin për ato vende të mbuluar nga borxhet. Analistët janë të shqetësuar se kriza e borxhit ka filluar të rreshqasë drejt ekonomisë gjermane.
Barroso u bëri thirrje vendeve anëtare të marrin në konsideratë dhe të diskutojnë për qasjen e duhur. Sipas Barrosos, qëndresa e Gjermanisë nuk përbën arsyen, për të mos e diskutuar seriozisht idenë.
“Sigurisht, qëllimi ynë nuk është të kundërshtojmë dikë apo shtetin anëtar, që është ekonomia më e madhe e Eurozonës në Bashkimin Europian”, theksoi Barroso.
Barroso foli gjithashtu edhe për rolin e Bankës Qëndrore Europiane duke i kërkuar të luaje një rol më të madh, gjë që është kundërshtuar prej saj dhe Gjermanisë.
Për investitorët, e vetmja zgjidhje për djaljen nga kriza është blerja masive e bondeve nga Banka Qëndore Europiane, të atyre vendeve ku kostoja e huasë po rritet dhe janë shumë pranë paqëndrueshmërisë financiare sic është Italia.
Top Channel