E përballur me vështirësi të mëdha financiare, kompania “Nokia Siemens Networks” lajmëroi gjatë të mërkurës për shkurtimin e 17 mijë vendeve të punës ose një totali prej 23% e forcës së saj punëtore.
Shkurtimet masive në “ushtrisë” prej 74 mijë punëtorësh duhet të ndihmojnë në reduktimin e kostos operacionale të firmës, që aktualisht llogaritet në një miliardë euro.
Kriza e kompanisë finlandezo-gjermane duket se është shkaktuar nga rënia e interesit për aparatet celularë që ajo prodhon si pasojë e daljes se “iPhone” dhe nga konkurrenca e fortë e rivalëve si “Ericsson” apo kinezët e “Huawei”.
Shefi ekzekutiv i “Nokia-Siemens”, Suri Rajeev, e cilësoi vendimin si të “dhimbshëm”, por të domosdoshëm. “Të përballur me vështirësitë e së tashme e të ardhmes, duhet të përmirësojmë efiçencën e kompanisë sot, për të garantuar fitime dhe rritjen e kompanisë në vazhdimësi”, theksoi ai.
Si rezultat i vendimit, vlera e aksioneve të “Nokia-Siemens” u rrit me 2% në tregjet ndërkombëtare. Paradoksalisht, lajmi i shkurtimit u duk një lajm i mirë për investitorët, që tashmë janë të sigurt se kompania ka një plan për të dalë nga vështirësitë ku ndodhet.
Top Channel