Tunizi, ndahen postet kryesore të shtetit

22/11/2011 09:45

Tre partitë kryesore të Tunizisë kanë vendosur se kush do të mbajë postet kryesore në qeverinë e koalicionit.

Hamadi Jebali, nga partia islamike Enahda, do të jetë kryeministër, Moncef Marzouki nga Kongresi i Republikës do të jetë president, ndërsa Mustafa Ben Jaafar do të jetë kryetar i Parlamentit.

Enahda fitoi zgjedhjet e muajit të kaluar, që ishin dhe zgjedhjet e para të lira që u zhvilluan që nga rënia e presidentit Ben Ali në janar, pas 23 vitesh në pushtet.

Rrëzimi i Ben Ali nga posti i kreut të shtetit ishte e para nga vala e protestave popullore që përfshinë Lindjen e Mesme dhe që sollën një rotacion politik në rajon.


Rezultatet zyrtare
tregonin se partia islamike e moderuar, Enahda, mori 89 vende në Parlamentin me 217 vende, Kongresi i Republikës mori 29, ndërsa partia e qendrës së djathtë Etakatol 21.

Parlamenti është ngarkuar ndërkohë me detyrën e hartimit të kushtetutës. Ai pritet të mblidhet më vonë gjatë së martës për të konfirmuar marrëveshjen për ndarjen e posteve.

“Ne kemi një marrëveshje për të organizuar zgjedhjet për një periudhë më të shkurtër se një vit”, deklaroi Nourdine Bhiri, zëdhënës i Enahdas.

Emërimet do të kërkojnë aprovimin e asamblesë kushtetuese. Tre liderët kanë një histori opozite ndaj regjimit të ish-presidentit Ben Ali.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA