SHBA, dështon “super-komisioni” për borxhin

22/11/2011 15:45

Një komision special i Kongresit amerikan i cili kishte detyrën që të reduktonte borxhin e vendit me 1,2 trilion dollarë, ka dështuar.

Paneli i përbërë nga 6 republikanë dhe 6 demokratë bëri me dije pas mbylljes së bursës së Nju Jorkut se ata nuk kishin arritur asnjë marrëveshje. Kjo do të thotë se shkurtimet automatike të përcaktuara në ligjin që i hapi rrugën këtij komiteti do të hyjnë në fuqi në vitin 2013.

Por ndërsa politikanët nuk kanë gjetur një marrëveshje, borxhi kombëtar i Shteteve të Bashkuara është ngritur në 15 trilion dollarë.

Paneli i kongresmenëve u ngrit në gusht, si rezultat i një marrëveshje të minutës së fundit mes dy palëve për të rritur tavanin borxhit dhe për të shmangur mundësinë që SHBA të mos paguante dot borxhet e saj.

Tashmë ka nisur loja e fajit për të shkarkuar përgjegjësinë. Sipas republikanëve, demokratët kërkojnë të rrisin taksat, ndërsa këta të fundit thonë se republikanët nuk pranojnë shtimin e taksave për të pasurit.

Edhe presidenti amerikan Barack Obama fajësoi republikanët, duke thënë se shumë prej tyre në Kongres nuk kanë pranuar të dëgjojnë zërin e arsyes dhe kompromisit. Obama shtoi se do t’i vëre veto çdo tentative për të ndaluar shkurtimet automatike të buxhetit të shtetit.

“Borxhi”, Shtëpia e Bardhë: Kongresi të vendosë

Pas dështimit të arritjes së një marrëveshje mes demokratëve dhe republikanëve në super-komisionin e ngritur në Kongresin amerikan për reduktimin e borxhit, ka reaguar Shtëpia e Bardhë.

Zv/presidenti Joe Biden në një komunikatë për mediat fajëson republikanët, që sipas tij, nuk dëshirojnë uljen e taksave për familjet e mesme dhe të varfëra amerikane dhe rritjen e barrës për të pasurit.

“Nëse Kongresi nuk vepron sa më shpejt që të jetë e mundur, një familje amerikane me të ardhura mesatare do të vuajë rritjen e taksave duke nisur që nga data 1 janar e vitit 2012. Do t’u hiqet mesatarisht 1 mijë dollarë nga xhepi i tyre”, thotë zv.presidenti Biden.

Vitin e kaluar, thotë Biden, Shtëpia e Bardhë dhe të dyja palët në Kongres, vendosën lehtësimin e barrës së taksave që rëndojnë mbi familjet e thjeshta amerikane për të paktën 155 milion punonjës. Por sipas Biden, ky memorandum përfundon me nisjen e vitit 2012, dhe nëse Kongresi nuk vepron, nëse si republikanët  ashtu edhe demokratët nuk bien dakort për një plan veprimi sa më parë, përvec mosreduktimit  të borxhit, do të rritet barra fiskale për familjet me të ardhura mesatare e të varfëra.

Ndërkohë, vetë presidenti Obama ka paralajmëruar veton e cdo propozimi të Kongresit për rritjen e taksave për të gjitha shtresat e shoqërisë amerikane. Obama kërkon diferencim duke taksuar më shumë të pasurit e duke lehtësuar të varfërit e klasën e mesme.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA