SHBA, Britania dhe Kanadaja, sanksione Iranit

22/11/2011 09:20

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Kanadaja kanë njoftuar vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Iranit, për shkak të rritjes së shqetësimeve për programin e tij bërthamor.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton ka folur për një “presion të fortë bllokues” ndaj Iranit. Ndërsa Britania e Madhe deklaroi më parë se do të ndërpriste të gjitha lidhjet me bankat Iraniane.

Ndërkohë, Kanadaja tha se kishte bllokuar eksportet për industritë e naftës, gazit dhe lëndët petrokimike.


Një raport i OKB-së
jepte prova të qarta se Irani po përpiqet të prodhojë armë bërthamore, por vetë qeveria e Teheranit e mohon këtë gjë. Ajo insiston se programi i saj bërthamor ka vetëm qëllime civile.

Raporti i Angjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore thoshte se Irani ka kryer disa teste të rëndësishme për zhvillimin e mjeteve bërthamore.

Por pavarësisht raportit, Irani nuk u ndëshkua nga Këshilli i Sigurimit për shkak të qëndrimit kundër të Rusisë dhe Kinës. Rusia i ka cilësuar sanksionet e reja si “të papranueshme” dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

“Kjo praktikë komplikon seriozisht lëvizjet për një dialog konstruktiv me Teheranin”, thuhej në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse.

“Ne besojmë se avancimi i sanksioneve i ka kaluar prej kohësh kufijtë e zgjidhjes së cështjeve të shumta që kanë të bëjnë me programin bërthamor iranian”, thuhej në deklaratë.

Më herët ishte vetë presidenti amerikan Barack Obama që nënshkroi një dekret që dënon ashpër individët dhe subjektet që ndihmojnë në zhvillimin e naftës dhe industrisë petrokimike në Iran.

Sanksionet e Shteteve të Bashkuara në industrinë petrokimike do të zbatohen kundër transaksioneve individuale që kalojnë shifrën e 250 mijë dollarëve, ose transaksioneve të tjera që do të kalojnë 1 milion dollarë në harkun e një viti.

Shtetet e Bashkuara patën deklaruar rritjen e trysnisë ndërkombëtare ndaj Iranit, deri në momentin kur Republika Islamike do të heqë dorë nga programi i saj bërthamor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA