Rusia i cilësoi si të papranueshme sanksionet e reja të vendosura ndaj Iranit, duke argumentuar se diçka e tillë mund të rrënojë të gjitha shpresat për bisedime.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ripërsëriti gjatë të martës qëndrimin e vendosur të Kremlinit, kundër vendosjes së masave të reja shtrënguese ndaj Teheranit.
”Rusia i sheh propozimet për sanksione të reja ndaj Iranit si në kundërshtim me parimin e sovranitetit të shteteve dhe me ligjin ndërkombëtar. Një praktikë e tillë rrezikon të dëmtojë seriozisht çdo avancim të kryer në përpjekjet për dialog konstruktiv me Teheranin. Vendosja e sanksioneve më të ashpra nuk duhet të shndërrohet në një qëllim në vetvete, siç duket se disa prej partnerëve tanë janë të interesuar të bëjnë. Diçka e tillë, vetëm sa do të inkurajonte Iranin që të largohej nga tavolina e bisedimeve”, shkruhej në komunikatën e lëshuar për shtyp.
Ditën e hënë, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, shpalli sanksione të reja të koordinuara me Kanadanë, të cilat godasin veçanërisht industrinë iraniane të hidrokarbureve dhe gazit natyror. Clinton e cilësoi Iranin si “një shtet primar i pastrimit të parave”. Ajo shtoi se priste që masa të tilla të adaptoheshin edhe nga partnerët e tjerë ndërkombëtare.
Si rrjedhojë, Britania vendosi ngrirjen e të gjitha transaksioneve bankare me Iranin, vendim që merret për herë të parë në historinë e Londrës zyrtare.
Sulmi i komunitetit ndërkombëtar ndaj Iranit vjen pasi Agjensia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore, nënstrukturë e OKB-së, dokumentoi ekzistencën e projekteve të avancuara të përdorimit të energjisë bërthamore për qëllime ushtarake në vendin e madh arab.
Top Channel