Rritja ekonomike në vendet në zhvillim të Azisë Lindore është bërë më e moderuar për shkak të dobësimit të kërkesave të jashtme, vlerëson Banka Botërore në një raport.
Institucioni në fjalë parashikon se rritja në këtë rajon do të jetë 8.2 për qind për vitin 2011 dhe 7.8 në vitin 2012.
Banka ka paralajmëruar se pasiguritë në Evropë dhe ngadalësimi i rritjes globale do të prekin edhe ekonomitë e Azisë Lindore.
Banka Botërore deklaroi se qeveritë aziatike duhet të rrisin kërkesën e brendshme dhe prodhimin e tyre.
Pas një gjysmë viti rritjeje pozitive për Azinë Lindore, Banka vëren se, ndërsa rajoni është pozicionuar mirë për t’i bërë ballë rënies globale, nuk do të mund t’i shpëtojë plotësisht asaj.
“Rritja e ulët ekonomike në Evropë gjatë marrjes së masave anti-krizë dhe nevoja e bankave për të rritur kapitalin do të prekin edhe Azinë Lindore”, deklaroi Bert Hofman, drejtor për Azinë Lindore dhe Rajonin e Paqësorit në Bankën Botërore.
Institucioni në fjalë thotë gjithashtu se perspektivat për një rritje në rajon u cënuan edhe për shkak të katastrofave natyrore që e përfshinë atë së fundmi.
Përmbytjet në shumë vende, vecanërisht në Tajlandë ku ishin më të këqijat në dekada, kanë detyruar qeveritë e vendeve të rishikojnë ritmet e rritjes ekonomike.
Humbjet në prodhim po ndihen në masë të gjerë pasi zinxhiret e furnizimit janë prekur nga këto tragjedi.
Banka Botërore tha gjithashtu se ngadalësimi i rritjes ekonomike është më i dukshëm në sektorin e prodhimit industrial, në vecanti tek eksporti i produkteve elektronike që ka filluar të bjerë.
Top Channel