ATP Londër, fiton Djokovic, humbet Murray

22/11/2011 15:20

Novak Djokovic djerësiti shumë për të fituar ndeshjen e parë në turneun Masters të Londrës. Tenisti serb u përball me Tomas Brdic ndaj të cilit fitoi me shumë vështirësi me rezultatin 2-1.

Takimi filloi vrullshëm për tenistin cek që arriti të fitojë setin e parë 6-3 duke përfituar edhe nga një lloj përgjumjeje e numrit 1 të renditjes botërore. Në setin e dytë, Djokovic e rriti ndjeshëm lojën e tij dhe arriti të fitojë këtë fraksion 6-3 duke e cuar ndeshjen në set final. Në këtë moment ishte Brdic që kontrolloi lojën për pjesën më të madhe të kohës, por në momentet më vendimtare, ceku gaboi shumë duke i dhënë mundësi Djokovic të fitojë këtë set 7-6.

Kundërshtari i radhës i Djokovic në fazën e grupeve të turneut të Londrës do të jetë spanjolli David Ferrer i cili befasoi publikun londinez duke mundur idhullin e tyre, Andy Murray 2-0. Numri 3 i renditjes botërore, bëri shumë gabime në këtë sfidë, ndërkohë që Ferrer ishte më konstant në lojën e tij.

Murray e nisi mirë setin e parë duke fituar me shërbimet e Ferrer, por spanjolli iu kundërpërgjigj shumë shpejt duke e mbyllur këtë set në favor të tij 6-4.

E njëjta histori u pa edhe në setin e dytë, me Andy Murray që luajti më mirë në fillim, por që humbi në fund duke e vënë në dyshim ecurinë e tij në turneun e Londrës.

Ndërkaq, në pistën qendrore të “O2 Arena” u zhvillua edhe një ceremoni e shkurtër, kur Roger Federer iu dorëzua trofeu i lojtarit më të preferuar nga tifozët, trofe të cilin zvicerani e mori për të 9-in vit radhazi. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA