Bursat në të gjithë botën u mbyllën me humbje gjatë ditës së hënë, ndikuar nga mungesa e zgjidhjes për krizën e Eurozonës, por edhe nga një faktor që mund të përkeqësojë në mënyrë thelbësore krizën, problemi i borxheve amerikane.
Raportimet se një komision i përbashkët midis republikanëve dhe demokatëve për gjetjen e një mënyre për shkurtimin e borxhit në SHBA është pranë dështimit, pati jehonë të menjëhershme në tregjet amerikane, me “Dow Jones” dhe “Nasdaq” që humbën 2,5% të vlerës së tyre.
Aktualisht, me 15 trilion dollarë borxhe, rreth 100% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, SHBA është kreditori më i madh në botë dhe mundësia, qoftë edhe minimale e një kolapsi në të ardhmen, do të ishte në gjendje të rrënonte të gjithë ekonominë botërore.
Në Uashington, një “superkomitet” midis dy partive politike është ngarkuar me detyrën për të gjetur mundësinë e financimit të 1,2 trilion dollarëve për pagesat e borxhit. Burime brenda komisionit thanë gjatë ditës që nuk ka shumë gjasa të arrihet kompromis, pas republikanët dhe demokatët mbeten thellësisht të ndarë mbi mënyrat se si duhet të vendosen nën kontroll financat shtetërore. Në rast dështimi të bisedimeve, vendi do të përballet me masa shtrënguese kursimi.
Ndërkohë, bursat e dy ekonomive më të mëdha europiane, ajo gjermane dhe franceze, pësuan gjithashtu rënie me 3% të vlerës së tyre gjatë ditës, në të njëjtën kohë që Spanja u shndërrua në vendin e tretë në dy javët e fundit që ndryshoi qeveri.
Top Channel