“Boko Haram”, grupi ekstremist islamik që vepron në Nigeri dhe një ndër më të dhunshmit në të gjithë Afrikën, ka lidhje të forta me politikanët nigerianë.
Kështu thuhet në një raport të shërbimeve sekrete nigeriane, të cilat thonë se grupi, përgjegjës për mijëra viktima në vend, merr fonde nga qeveritarë dhe politikanë të lartë që veprojnë kryesisht në veri të vendit.
Zbulimi ka ardhur pas arrestimit të zëdhënësit të “Boko Haram” (në shqip ndalohet kultura perëndimore), i cili sipas autoriteteve, ka dëshmuar duke thënë se kishte marrë shuma të majme nga një politikan i lartë në shtetin e Bornos në veri të Nigerisë.
Nigeria prej vitësh mundohet të luftojë ekstremizmin fetar. Vendi ka një decentralizim ku përvec pushtetin qendror, krerët e klaneve lokale në shumë zona kanë fuqi të pakontrollueshme. Veriu i vendit është me shumicë muslimane, ndërkohë që në jug, pjesa më e madhe e popullsisë është e krishterë.
Përcarja dhe përleshjet ndërfetare u vunë re vecanërisht pas zgjedhjeve të fundit në vend. Zgjedhjet u fituan nga presidenti Goodluck Jonathan. Jonathan fitoi përballë rivalit të tij, një ish-gjeneral që vinte nga krahinat e veriut. Megjithëse procesi zgjedhor u njoh ndërkombëtarisht, në veri të vendit nisën protestat. Manifestuesit akuzonin Jonathan për manipulim të procesit zgjedhor.
Top Channel