Humbën jetën në kampet naziste

20/11/2011 20:30

Ashtu si cdo 20 nëntor edhe këtë vit janë përkujtuar në Durrës të rinjtë që u internuan në  Mathauzen dhe kampet e tjera të përqëndrimit nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Drejtues të pushtetit vendor, veteranë e familjarë të tyre kanë bërë homazhe dhe vendosur kurora me lule pranë memorialit të ngritur në Shkozet në nderim të sakrificave të atyre që u persekutuan dhe u internuan në kampet e shfarosjes masive gjatë pushtimit nazist.

Pjesmarrësit kujtuan atë mëngjes të largët të 20 nëntorit të vitit 1943, kur qytetarët durrsakë përjetuan bastisjen e shtëpive dhe marrjen me forcë të bijve të tyre nga nazistët.

Pikërisht aty ku sot ngrihet memoriali u sollën me dhunë të rinjtë durrsakë, të cilët i hipën nëpër kamionët e ushtrisë gjermane duke i dërguar fillimisht në burgun e Tiranës dhe po atë ditë i nisën drejt kampeve të internimit në Prishtinë, Mathauzen, Zemun, Dakau etj.

Në pllakat memorative në varrezat e dëshmorëve të qytetit janë 43 emra të rinjsh që u vranë në kampet e Zemunit dhe Mathauzenit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA