Autoritetet amerikane deklarojnë se kanë zbuluar një maksi-tunel për
kontrabandimin e drogës në kufirin me Meksikën, ku dhe kanë sekuestruar
14 ton marijuanë.
Zyrtarët e doganave deklaruan se tuneli lidhte magazina të ndryshme në Tihuana të Meksikës me qytetin Otej Mesa në Kaliforni.
Tuneli ishte ngritur me shtylla druri dhe ishte i pajisur me energji elektrike dhe disa sisteme ventilimi.
Disa dhjetra tunele të tilla janë gjetur në vitet e fundit nga policia amerikane, që ka bllokuar akse të sofistikuara trafiku droge.
Mbi 30 janë zbuluar vetëm këtë vit, deklarojnë nga ana tjetër autoritetet meksikane, të cituara nga agjencia e lajmeve “AFP”.
Përvec trafikut të drogës, tunelet përdoren gjithashtu për trafikun ilegal të qënieve njerëzore drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Autoritetet saktësojnë se 10 ton nga marijuana e sekuestruar u gjet në pjesën amerikane të tunelit, ndërsa pjesa tjetër në atë meksikane.
Tuneli i hapur ishte i gjatë 365 metra, por ende nuk dihet se sa i thellë apo i gjerë ishte ai. Në tunele të tjera të zbuluara më parë agjentët e anti-drogës kanë gjetur edhe mjete transporti.
Top Channel