Adriano Galliani, administratori i deleguar i Milanit, nuk ka pranuar të flasë për mekaton e janarit duke u shprehur se i vetmi futbollist që pret të shohë në fushë me fanellën kuqezi është Gennaro Gattuso.
“Jam i lumtur që Gattuso është rikthyer në stërvitje me grupin dhe shpresoj që në janar të fillojë të luajë sërish”, deklaroi Galliani pasi vizitat mjekësore të ditës së mërkurë i dhanë dritën jeshile mesfushorit italian për të rifilluar stërvitjen me grupin pas problemeve me shikimin të kohëve të fundit.
Përsa i përket sulmuesit që do të transferohet tek Milani për zëvendësimin e Cassanos, Galliani nuk dha asnjë detaj.
“Nuk kemi kontaktuar me Romën për Borriellon. Për Drogba dhe Tevez nuk di asgjë, ndërsa Braida është në Brazil për të vëzhguar futbollistë, jo për të sjellë një sulmues në janar”, tha Galliani kur gazetarët filluan të përmendnin kandidatët për të veshur fanellën kuqezi.
Top Channel