Fyle: Pranë fundit të ngërcit

17/11/2011 00:00

Ngritja e Komisionit Parlamentar mbi Reformën Zgjedhore dhe votimi i dy
ligjeve me tre të pestat, u mirëpritën menjëherë nga Komisioneri për
Zgjerim, Shtefan Fyle.

Në një komunikatë për shtyp, Fyle mirëpriti edhe vendimin e të hënës së Konferencës së Kryetarëve për ngritjen e grupit parlamentar të punës për reformën e rregullores së Kuvendit dhe për miratimin e kalendarit për rishikimin dhe miratimin e ligjeve me tre të pestat.

“Këto zhvillime, së bashku me rifillimin e plotë të punës së Parlamentit në shtator, përbëjnë hapa vendimtarë drejt normalizimit të marrëdhënieve politike në vend dhe pritet të shënojnë fundin e ngërçit politik. Këto janë elementë të rëndësishëm të përpjekjeve të ringjallura të Shqipërisë për të lëvizur përpara në reformat kyçe dhe për të përmbushur 12 kriteret kyçe të përcaktuara në Opinionin e 2010 së Komisionit mbi aplikimin e vendit për anëtarësim në BE”, thotë Fyle.

Më tej, Komisioneri bën thirrje për dialog konstruktiv politik.

“Inkurajoj fuqishëm mazhorancën qeverisëse dhe opozitën që të ndërtojnë mbi këto zhvillime pozitive, duke rivendosur dhe ruajtur tërësisht dialogun konstruktiv politik, për të mundësuar funksionimin e duhur të institucioneve kyçe demokratike, sidomos të Parlamentit dhe të arrijnë rezultate të një reforme zgjedhore konsensuale në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe të Komisionit të Venecias.E gjithë kjo duhet të rezultojë në krijimin e një momenti të ri për reformat e integrimit europian në Shqipëri dhe në veçanti në zbatimin e 12 prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit”, tha Fyle.

Në përfundim, Shtefan Fyle deklaron gadishmërinë e Komisionit për të vazhduar mbështetjen dhe bashkëpunimin në qëllimin e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA