Njihet si poeti i dashurisë për mijëra vargjet e shkruara ndër dekada,
por me shpotitjen e penës së tij, Ali Asllani ka përcjellë mesazhe të
mëdha, të cilat vijonë të tingëllojnë aktuale, edhe pse të shkruara
dekada shkuar.
Poema “Hanko Halla” e botuar në vitin 1942 është një gur i rëndësishëm themeli në letërsinë shqipe. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, Ali Asllani u nderua nga Presidenti i Republikës Bamir Topi me urdhrin “Nderi i Kombit” në një ceremoni të posaçme në presidencë ku qenë të pranishëm familjarë, miq e kolegë të poetit vlonjat.
“Kjo figurë poliedrike, e cila na jep mundësinë që jo vetëm të krenohemi, por edhe të na motivojë për ta studiuar në të gjitha planet e veprimtarisë së tij, patjetër që është një kënaqësi e veçantë për cilindo, për një qytetar të thjeshtë, për një profesionist në një fushë të caktuar, për një shkrimtar, për një politikan dhe për një President. Kështu që sot, më lejoni që ta ndaj këtë vlerësim dhe këtë kënaqësi me njerëzit e familjes, me ata që e propozuan, me ata që e mbështetën. Dhe padyshim, Ali Asllani do të mbetet në jetë të jetëve një figurë e ndritur e kombit shqiptar”, tha presidenti Topi.
Ali Asllani u lind më 28 nëntor të vitit 1884 në Vlorë e aty mori mësimet e para. Më pas studioi në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, mandej në Stamboll. Gjatë jetëtës ai ka qenë drejtues i një sërë institucionesh. Pas çlirimit është ndër të parët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve që deri në vitin 1952 mbahej nga të ardhurat e pakta nga përkthimet për llogari të Institutit të Shkencave. Ali Asllani është autori i vargjeve të këngës së njohur “Vlora, Vlora”. Ndër veprat e tij themelore janë “Shqipëria kryesorja” botuar në vitin 1961; “Poezia shqipe”. Pas viteve ‘90-të panë dritën e botimit “Poezi të zgjedhura” apo “Hakërrim”. Poeti e prozatori Ali Asllani u shua në Tiranë, më 20 dhjetor të vitit 1966.
Top Channel