Tetë tregtarë u kallëzuan në prokurori për evazion fiskal, ndërsa një sasi paketash dhe qesesh me duhan të hapur u konfiskuan pasi u gjetën pa pulla fiskale ose të pashoqëruara me fatura tatimore, njoftoi dje Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Administrata tatimore kreu një aksion për të konfiskuar cigare të kontrabanduara, pasi deficiti i të ardhurave të qeverisë është në rritje dhe importet e ligjshme të duhanit janë në rënie, bën të ditur gazeta “Shqip”.
Gjithsej u konfiskuan 4130 paketa cigaresh dhe 91 qese me duhan. Tatimorët vunë edhe 4 gjoba me vlerë të përgjithshme prej 1.2 milionë lekë.
“Në këtë operacion të koordinuar u angazhuan rreth 80 punonjës të Drejtorisë së Hetimit dhe u kontrolluan mbi bazën e procedurave ligjore, 22 tatimpagues”, thuhet në një njoftim të administratës tatimore.
Nga kontrollet rezultuan një sërë shkeljesh. Në veçanti, dy subjekte tatimpaguese tregtonin paketa cigaresh të papajisura me pullën e akcizës, ndaj përkundrejt tyre u morën penalitete me masën prej 1 000 000 lekësh, si dhe një gjobë për moslëshim kuponi tatimor në masën 100 000 lekë.
“Inspektorët e Hetimit Tatimor kryen vizitat e tyre gjithashtu në 10 subjekte, të cilët rezultuan zbatues korrektë të ligjit dhe të detyrimeve të tyre fiskale, pa pasur asnjë anomali në mbajtjen e dokumentacionit dhe të mallrave që ata tregtonin”, thonë Tatimet.
Shqiptarët duket se po i drejtohen gjithnjë e më shumë duhanit të hapur si zëvendësues për cigaret, çmimi i të cilave këtë vit u rrit me rreth 15 për qind si pasojë e rritjes së taksave.
Edhe tregtarët kanë ndjekur kërkesat, duke ofruar lloje të ndryshme duhani të hapur, përfshirë edhe duhan të importuar pa pulla fiskale mbi ambalazhet e të cilave shkrimet paralajmëruese në gjuhën spanjolle janë zëvendësuar me shkrime të ngjitura në gjuhën shqipe.
Sasia e cigareve të zhdoganuara për periudhën janar–shtator 2011 është 2,262 tonë, me rënie vjetore prej -26 për qind. Rënia e importeve të cigares për këtë vit është shkaktuar pjesërisht nga shtimi i importeve në muajt e fundit të 2010-s, para hyrjes në fuqi të rritjes së akcizës.
Top Channel