Topi në Shëngjin, merr titullin “Mirënjohja e Qytetit”

14/11/2011 00:00

Presidenti i Republikes Bamir Topi qëndroi të hënën në Shëngjin, ku ndër
të tjerat mori edhe titullin “Mirënjohja e Qytetit”, me motivacionin:
“Për kontributin e veçantë në promovimin e kulturës, traditës dhe
potencialeve turistike të Komunës së Shëngjinit; për rolin e tij
moderator dhe angazhimet e vazhdueshme në forcimin e dialogut,
demokracisë dhe institucioneve kushtetuese në Shqipëri”.

Kreu i shtetit u takua me kryetarin e Komunës, Salvador Kaçaj, deputetë të zonës, përfaqësues dhe drejtues të tjerë të pushtetit vendor, këshilltarë vendorë si dhe shumë qytetarë.

Bashkëbiseduesit, bën të ditur njoftimi zyrtar i Presidencës, shkëmbyen e ndanë mendime për zhvillimet më të reja në këtë zonë, kryesisht të spektrit ekonomiko-social duke vënë theksin në dy aspekte të rëndësishme: zhvillimin e turizmit dhe të infrastrukturës me qëllim përmirësimin e shërbimeve të ofruara si për qytetarët shqiptarë, por edhe të huaj.

Po ashtu u vu theksi në nevojën e investimeve dhe të projekteve për ruajtjen e vijës bregdetare dhe plazhit të Shëngjinit për ta bërë sa më tërheqëse për turistët përmes ambienteve shlodhëse e argëtuese, shërbimeve cilësore dhe me çmime konkuruese, urbanistikës së zhvilluar.  

Duke folur lidhur me rëndësinë jetike për portin e Shëngjinit si një pikë strategjike që ndihmon zhvillimin e kësaj zone, por edhe më gjerë, u vu në dukje dhe domethënia e këtij porti dhe për Kosovën, si një ndër pikat më të afërta për daljen në det.

Top Channel