Pronari i Interit, Massimo Moratti, përgëzoi ish-futbollistin e skuadrës së tij, Mario Balotelli, për formën e shkëlqyer që është duke treguar në Angli dhe tek kombëtarja italiane.
I pyetur nga mediat, Moratti pranoi se po të kishte mundësi, do ta rikthente menjëherë pas 21-vjeçarin në “San Siro”, por mbrojti kushtet në të cilat vendosi për shitjen e tij dy vjet më parë. Gjatë dorëzimit të çmimit “Faccheti” për presidentin e UEFA-s, Michel Platini, Moratti tha: “Po të kisha mundësi, do ta rimerrja që nesër. Gjithmonë kam patur shumë simpati për të dhe Mancini po bën gjithashtu një punë të shkëlqyer për t’i evidentuar talentin. Megjithatë, nuk jam i sigurt që Balotelli do të ishte bërë kaq i mrië pa këtë përvojë në Angli. Ai kishte nevojë për një eksperiencë jashtë Interit dhe kushtet në të cilat vendosëm ta shisnim, ishin të duhurat”.
I pyetur mbi deklaratat e trajnerit Ranieri, i cili theksoi se vazhdon të besojë tek titulli kampion, Moratti shtoi: “Përderisa Ranieri e thotë, nuk e bën këtë sepse ka luajtur mendsh, por sepse e di që në Serinë A, edhe mund të ndodhë. Megjithatë, e rëndësishme për momentin është që të mos mendojmë për objektiva të caktuar, por që të nis një etapë fitoresh që të na rikthejë në vendin e merituar në renditje”.
Top Channel