Tre shtetas francezë të mbajtur peng në Jemen që prej muajit maj janë liruar, informuan të hënën burime të Parisit zyrtar.
Punëtorë me kontratë, ata ishin kapur nga militantë të Al-Kaedës në qytetin e Sejunit, 600 kilometra në lindje të kryeqytetit Sanaa.
Dy gratë dhe bashkëpunëtori i tyre mashkull punonin për fondacionin bamirës “Triangle Generation Humanitaire”.
Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy, falenderoi Sulltanin e Omanit, për ndërmjetësimin që bëri për lirimin e tyre. “Presidenti falenderon në mënyrë të ngrohtë Sulltanin e Omanit dhe autoritetet omaneze për ndihmën e tyre thelbësore, së bashku me të gjithë ata që ndërmjetësuan për këtë zgjidhje të kënaqshme”, shkruhej në një komunikatë të publikuar nga “Champs-Elysse”.
Asnjë detaj nuk është bërë i ditur mbi rrethanat e lirimit. Të tre francezët ishin shfaqur në një video në shtator, duke bërë apel për pagimin e shumës së kërkuar për lirimin e tyre. Më shumë se 200 të huaj janë rrëmbyer në 15 vitet e fundit në Jemen nga grupet e milantëve, me qëllim shkëmbimin e tyre me të ardhura financiare.
Top Channel