Drejtori sportiv i kombëtares gjermane të futbollit, Oliver Bierhoff, ka besim se Gjermania do të mbyllë vitin me një fitore dhe me lojë të bukur kur të ndeshet të martën ndaj Hollandës në një ndeshje miqësore.
“Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Duhet ta marrim me seriozitet takimin ndaj Hollandës dhe duhet të japim një sinjal se ne mund të mposhtim ekipet më të mira. Duam ta mbyllim vitin me fitore dhe të mposhtësh Hollandën është një plus për vetëbesimin e lojtarëve”, u shpreh ish-sulmuesi i Gjermanisë.
Kombëtarja e drejtuar nga Joachim Low, që barazoi të premten në miqësoren ndaj Ukrainës (3-3), për ndeshjen ndaj Tulipanëve do të ketë në dispozicion sulmuesit Miroslav Klose e Marco Reus si dhe portierin Manuel Neuer.
Nga ana tjetër, hollandezët vijnë nga barazimi 0-0 në miqësoren ndaj Zvicrës dhe do të mundohen të bëjnë një paraqitje të mirë edhe pse kundër Gjermanisë do të mungojnë Robin van Persi dhe Rafael vaan der Vaart.
“Kam rënë dakord me Wenger (trajnerin e Arsenalit) se Van Persi do të luante vetëm miqësoren e së premtes, ndërsa Vaan Der Vaart ka një problem muskular”, theksoi trajneri Bert van Maarvijk, tekniku hollandez.
Për hollandezët do të rikthehen kapiteni Mark van Bommel dhe sulmuesi Klaas Huntelaar, i cili theu hundën para 10 ditësh.
Top Channel