Procese ndaj gazetarëve, denoncimi i Unionit

12/11/2011 00:00

Raportimi i një protestë për tokën e disa banorëve të fshatit Mamëz, në
rrethin e Kukësit, mund t’i kushtojë gazetarit Bashkim Shala deri në 3
vjet burg.

Policia e Kukësit, që e akuzon si pjesëmarrës në protestë, përmes një komunikate zyrtare e ka shpallur person në hetim, në gjendje të lirë. Vetë gazetari pranon se ka qenë i pranishëm në protestë, por jo për të protestuar, por për të raportuar.

“Policia e Kukësit thotë që unë duhet të gjobitem me 5 milionë lekë ose duhet të bëj 3 vjet burg, pse kam qenë në protestë për të pasqyruar dhe për të bërë detyrën time”, thotë gazetari Shala.

Unioni i Gazetarëve e cilëson këtë një rast të paprecedent. “Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e denoncon këtë rast të paprecedent të policisë lokale, duke e konsideruar rastin e përfshirjes në listën e personave që procedohen dhe ndiqen nga prokuria e Kukësit në gjykatë, si një akt të pastër të presionit mbi gazetarin për shkak të detyrës dhe vetëm të detyrës”, thotë kreu i Unionit, Aleksandër Çipa.

Po Unioni denoncoi edhe disa raste të tjera, ku kundër gazetarëve po mbahen gjyqësore procese penale: “Për rastin e kolegut Ferdinand Dervishi, ku një personazh i librit të tij, me precedent penalë befas hapi një proces ne Gjykaten Penale te Tiranes. Shprehim shqetësim edhe për zgjatjen në kohë të procesit ndaj kolegut tonë Ilir Yzerit. Shprehim shqetesim edhe per disa procese te tjera neper gjykata per gazetaret, per shkak te detyres”.

Unioni i kërkoi autoriteteve të larta të policisë, prokurorisë dhe gjyqësorit që të ushtrojnë autoritetin e tyre ligjor ndaj këtyre rasteve.

Top Channel