Liga Arabe ka votuar për pezullimin e pjesëmarrjes së Sirisë në takimet e saj dhe për vendosjen e sanksioneve ndaj Damaskut, për shkak të refuzimit të qeverisë për t’i dhënë fund shtypjes së dhunshme të protestuesve.
Gjithashtu, vendeve anëtare iu kërkua të tërheqin ambasadorët e tyre, si dhe iu bë thirrje regjimit sirian që të ndalë dhunën ndaj qytetarëve.
Votimi i Ligës Arabe vjen pasi qeveria e Sirisë injoroi propozimin e saj që të niste dialogun me përfaqësuesit e opozitës.
Por përfaqësuesi i Sirisë deklaroi se vendimi i miratuar shkel rregullat e organizatës. Youssef Ahmed tha për televizionin shtetëror sirian se, “Liga Arabe po i shërben axhendës Perëndimore dhe asaj amerikane”.
Propozimet e Ligës Arabe, të pranuara fillimisht nga presidenti Bashar al Assad, parashikonin lirimin e të burgosurve, tërheqjen e forcave të sigurisë nga rrugët dhe nisjen e bisedimeve qeveri-opozitë.
Por aktet e dhunës kanë vazhduar, të përqendruara kryesisht në qytetin e Homsit, por edhe në Damask. Vetëm ditën e shtunë u vranë 12 persona.
Organizata Human Rights Watch lëshoi këtë javë një raport ku dokumentoheshin torturat dhe vrasjet në këto qytete, si dhe i bëhej thirrje Ligës Arabe që të shtonte presionin ndaj regjimit sirian.
Ndërsa OKB ka njoftuar se mbi 3.500 persona kanë vdekur që nga fillimi i protestave popullore në muajin mars, si pasojë e reagimit të ashpër të forcave të sigurisë.
Top Channel