Klinton: Irani të na japë shpjegime

12/11/2011 09:50

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton i ka kërkuar Iranit të japë shpjegimet e nevojshme brenda pak ditësh
për raportin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (AIEA) në lidhje me programin e tij bërthamor.

Raporti i agjencisë së Kombeve të Bashkuara për zhvillimin e energjisë bërthamore, publikuar pak ditë më parë, akuzon Republikën Islamike se po tënton të prodhojë armë bërthamore nëpërmjet programit të saj. Agjencia thotë se krahas qëllimeve paqësore të Iranit, ekziston edhe mundësia reale e tij për zhvillimin e mbushjeve bërthamore brenda një viti.

Në pritje të samitit të ekonomive të Azisë dhe Paqësorit, APEC, Klinton tha se ka njohur 21 vendet pjesëmarrëse të këtij samiti për qëllimet e Iranit.

“Irani prej shumë kohësh kërkon të mohojë realitetin në lidhje me programin e tij bërthamor”, thotë Klinton.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore, apeluan për shtimin e presioneve diplomatike ndaj Teheranit nëpërmjet rezolutave të OKB-së. Por këto nisma të Perëndimit kanë hasur në kundërshtinë strikte të Rusisë dhe Kinës. Dy anëtaret e Këshillit të Sigurimit kanë bërë me dije prej kohësh se nuk do të pranojnë kurrëfarë sanksionesh shtesë ndaj Iranit.

Kohët e fundit, në media, fillimisht atë izraelite e më pas në atë britanike, u përhap lajmi për një sulm të mundshëm ushtarak të Izraelit, koordinuar me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe kundër Iranit. Madje media britanike shkonte më tej duke thënë se në ofensivën ushtarake do të përfshihej edhe NATO. Të tilla pretendime detyruan Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës të dalë në një konferencë për mediat për t’i përgënjeshtruar ato. Anders Fogh Rasmusen tha se nuk ekziston asnjë plan dhe asnjë mundësi që NATO të marrë pjesë në një fushatë ushtarake kundër Iranit.

Hipoteza e sulmit ushtarak ka pasuar me reagimin e Iranit. Vete presidenti i Republikës Islamike, Mahmud Ahmadinexhad, pasi hodhi poshtë raportin e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore duke e quajtur atë si mbështetës të politikave pro-amerikane, deklaroi për mediat ndërkombëtare, se Irani është i përgatitur për cdo skenar dhe se një sulm ushtarak kundër vendit të tij do të marrë përgjigjen e merituar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA