Kaliforni, qeveria kundër marijuanës

12/11/2011 17:40

Dhjetëra magazina me marijuanë që përdoret për qëllime mjekësore në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara janë urdhëruar të mbyllen, si pasojë e një operacioni federal.

Furnizuesit dhe shitësit u urdhëruan që nga fundi i shtatorit që të pezullonin aktivitetin brenda 45 ditëve, në të kundërt do të përballeshin me ndjekje penale.

Për rrjedhojë, disa furnizues të marijuanës pezulluan përkohësisht plotësimin e kërkesave të klientëve të tyre në fillim të muajit.

Kalifornia legalizoi marijuanën mjekësore në vitin 1996, por përdorimi i drogës mbetet ilegal në kuadër të ligjit federal.

Prokurorët amerikanë kanë deklaruar se objektiv i tyre janë magazinat e mëdha tej kufijve të lejuar dhe kultivuesit, dhe jo individët përdorues.

Shitjet me qëllim përfitimi përbëjnë shkelje të ligjit të shtetit të Kalifornisë dhe disa prej magazinave të furnizimit kanë abuzuar duke qenë se ndodhen pranë shkollave dhe parqeve.

Por ky veprim i organeve të drejtësisë nuk është pritur mirë nga personat që përdorin lëndën e lehtë narkotike për qëllime mjekimi.

Matthew Kumin, avokat i një grupi personash të kësaj kategorie, deklaroi më herët gjatë javës se politikat e qeverisë nuk ishin të përshtatshme.

“Politika iracionale e qeverisë ka arritur kulmin. Qeveria federale thotë se nuk do të ndjekë pacientët, por nga ana tjetër do të bllokojë furnizimin e tyre. Kjo s’ka kuptim”, u shpreh avokati.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA