Autoritetet në Bahrein deklarojnë se kanë shkatërruar një grup që po përpiqej të kryente disa atentate në mbretërinë e Gjirit.
Katër anëtarë të grupit u ndaluan në Katar dhe një në Bahrein, bën të ditur agjencia shtetërore e lajmeve “BNA”.
Grupi raportohet se kishte planifikuar të sulmonte selinë e Ministrisë së Brendshme në kryeqytetin Manama, ambasadën saudite dhe rrugën e shtruar që lidh ishullin me Arabinë Saudite.
Emrat dhe kombësitë e të dyshuarve nuk janë publikuar ende. Arrestimet në Katar u kryen pasi 4 të dyshuarit kishin hyrë në vend nga Arabia Saudite.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Bahreinit, ata kishin me vete shuma të mëdha parash, dokumenta dhe shumë kompjutera me detaje për objekte të rëndësishme të mbretërisë.
Katër anëtarët e celulës u dhanë autoriteteve informacion jetik për të dyshuarin e pestë, që u arrestua më vonë në Bahrein.
Top Channel