
Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, deklaroi të premten se problemi i vërtetë i Interit është mungesa e futbollistëve cilësorë në stolin e rezervave.
Me skuadrën që pas dhjetë javëve të para në Serinë A ndodhet në zonën e rënies nga kategoria, holandezi komentoi: “Ndryshimet në cilësinë midis titullarëve dhe rezervave janë shumë të mëdha dhe kjo nuk është diçka e mirë për skuadrën. Është e domosdoshme që ekipi të rinovohet. Në Champios League, nga të 32 skuadrat pjesëmarrëse, ne kemi mesatareen e moshës më të lartë. Megjithatë, shoh që disa shokë skuadre po arrijnë formën e duhur dhe kam besim që shumë shpejt do të ngjitemi në nivelin e duhur”.
Forlan – Në gjendjen e krijuar, një lajm i mirë për Interin është rikthimi i sulmuesit Diego Forlan. “Jam mirë dhe po punoj shumë. Kam për të kryer një kontroll mjekësor së shpejti, por kryesorja është që arrij të stërvitem pa probleme dhe besoj se shumë shpejt do të jem në gjendje të rikthehem në fushat e lojës”.
Moratti – Presidenti i Interit, Massimo Moratti, vazhdon të mos komentojë mbi vendimin e gjykatës për të ndëshkuar me pesë vjet e katër muaj heqje lirie ish-drejtuesin e lartë të Juventusit, Luciano Moggi, për shkak të skemës së fiksimit të rezultateve të krijuara prej tij dhe të njohur gjerësisht si “Calciopoli”. “Nuk kam komentuar dhe nuk do të vazhdoj të komentoj asnjëherë rreth kësaj çështje”, deklaroi Moratti.
Top Channel