E enjtja për serbët e veriut të Mitrovicës është shpallur ditë zie. Vrasja e Sava Mojsiçit dhe plagosja e një polici dhe një qytetari tjetër serb ka  tronditur banorët shqiptarë dhe serbë që jetojnë pranë njëri-tjetrit në lagjen Kroi i Vitakut në Mitrovicën e Veriu.

Vrasja e të riut Sava Mojsiçit ka ndodhur në pragun e banesës së Stojana Vuçoviç. E shokuar nga ngjarja e së mërkurës ajo tregon për Top Channel se, incidenti i ka vënë në pozicion të vështirë banorët serbë dhe shqiptarë të cilët sipas saj bashkëjetojnë pa probleme.

“Ende jam në shok. Nga shqetësimi më është dashur të marr qetësues. Nuk mund t’ju shpjegoj se sa e shqetësuar jam edhe tani. Kemi dëgjuar krismat dhe kemi parë përleshjen. Por, nuk mund të them se cili ka qenë shkaku i incidentit. Më janë tmerruar dy fëmijët, nuk kemi guxuar as të lëvizim nga banesa. Nuk njoh as të plagosurit dhe as të vrarin, vetëm e di që asnjëri nga ata nuk jeton në këtë lagje”, thotë banorja serbe, Stjana Vuçkoviç.

Një tjetër banor serb, i cili nuk deshiron të identifikohet thotë se, nga vendosja në këto banesa të reja kolektive asnjëherë nuk kanë pasur konflikte me banorët shqiptarë.

“Ky incident na ka tronditur të gjithëve. Thuhet që fillimisht përleshja ndërmjet dy grupeve shqiptarë dhe serbë ka nisur 300 metra larg nga këtu dhe pastaj janë grumbulluar në këtë vend. Pas pak minutash, në kohën kur arritën edhe dy patrulla të policisë, kanë nisur të shtënat me armë zjarri”, thotë banori serb.

Teksa Policia e Kosovës dhe ajo e Eulex-it po zhvillon hetimet lidhur me incidentin, asnjë banor shqiptar i lagjes Kroi i Vitakut nuk dëshiron të flasë rreth këtij rasti.

Sipas burimeve jozyrtare konfirmohet se, gjatë së enjtes policia ka arrestuar një shqiptar 26 vjeç me inicialet H.M si i dyshuar. Ndërkohë shtëpitë e shqiptarëve të kësaj lagjeje janë bastisur nga policia dhe janë marrë në pyetje banorët.

Sipas policisë tashmë janë dy versione që kanë çuar deri në këtë incident. Serbët akuzojnë shqiptarët se kishin shkuar për të vjedhur një veturë të një qytetari serb, ndërkohÄ— shqiptarët akuzojnë serbët që, fillimisht kishin provokuar banorët dhe më pas kishin tentuar t’ju vidhnin dritaret.

“Policia e Kosovës dhe Eulex po udhëheqin hetimet, janë bastisur 16 banesa serbe e shqiptare. Kemi marrë disa persona në cilësinë e dëshmitarëve”, thotë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Besim Hoti.

Policia pohon se në vend ngjarje kishin dal policët e thjeshtë të dërguar nga stacioni i veriut, ndërkohë serbët akuzojnë njësinë speciale ROSU për incidentin. Raportohet se gjendja e dy të plagosurve prej të cilëve njëri është polic serb i Kosovës është serioze.

Ky incident është dënuar nga insitucionet qeverisëse në vend dhe jo vetëm.

Ndërkohë, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Serbisë, Tanjug, Ministri i Serbisë për Kosovën, Goran Bogdanoviç, tha se incidenti ishte “sulm terrorist”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA