Siguria në transportin ajror

10/11/2011 23:00

Autoriteti i aviacionit civil shqiptar ka raportuar në Bruksel për kushtet e sigurisë së transportuesve ajrorë.

Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura në Komitetin e Sigurisë Ajrore të BE-së, përpara se ky i fundit të publikojë listën e zezë për ato kompani fluturimi që nuk plotësojnë kushtet e sigurisë.   

“Sic e dini ne publikojme listën e sigurisë së BE-së për transportuesit ajrorë cdo 4 muaj. Komiteti i Sigurisë është mbledhur këtë mëngjes dhe normalisht lista do të publikohet pas dy javësh, në 21 nëntor. Publikimit i paraprin procesi i dëgjimit. Por, i gjithë ky informacion, natyrisht nuk bëhet publik derisa të bihet dakord edhe me vendet anëtare mbi listën, pra gjatë javës së 21 nëntorit”, tha zëdhënësja e KE për Transportin, Helen  Kearns.

Komisioni Europian sqaron se është një praktikë standarte që të ftohet cdo lloj linje fluturimi apo autoritet i aviacionit civil që është nën hetim për të shprehur mendimin e tij dhe për të dhënë informacion ndaj Komitetit të Sigurisë Ajrore të BE-së.

Bazuar në raportin e Progresit të tetorit, shqetësimet e Komisionit Europian për Shqipërinë lidhen edhe me vetë autoritetin mbikqyrës kombëtar dhe atë të aviacionit civil, si dhe me mënyrën sesi funksionojnë ato.  

 
“Për sa i takon transportit ajror, Shqipëria ka bërë progres të kufizuar me zbatimin e fazës së parë të Marrvëshjes për Zonën e Përbashket Europiane të Aviacionit. Një farë progresi mund të raportohet mbi përputhjen me legjislacionin për Menaxhimin e Trafikut Ajror. Është bërë progres në sigurinë e aviacionit, me përjashtim të Programit të Sigurisë Civile Kombëtare. Më shumë përpjekje nevojiten gjithashtu për të përmirësuar zbatimin e praktikave europiane mbi trajtimin në terren dhe dhënien e përcaktimeve.  Autoriteti Mbikqyrës Kombëtar është ngritur dhe trajnimi i stafit vazhdon. Megjithatë, nuk ka pasur progres për sa i takon zbatimit të legjislacionit për sigurinë ajrore. Autoriteti i Aviacionit Civil nuk ka inspektorë të kualifikuar, ndaj dhe nuk ka qenë në gjendje për të marrë përgjegjësitë e veta në lidhje me mbikqyrjen për ndërmarrjet e miratuara dhe mbajtësit e licensës. Nuk është zhvilluar një Program i Sigurisë Shtetërore dhe një nivel i mbikqyrjes së sigurisë në përputhje me standartet e sigurisë ndërkombëtare, nuk është garantuar ende”, shkruan Raporti i progresit të transportit ajror.

Siguria e transportit ajror përbën një nga fushat e rëndësishme ku Shqipërisë i kërkohet të përafrojë legjislacionin e saj me atë europian.

Përgatiti: Arta Tozaj
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA