Mario Monti, pasuesi i Silvios

10/11/2011 02:00

Deri në orët e vona nuk rreshtën konsultimet dhe manovrat politike në Itali.

Kriza shpërtheu pasi kryeministri Silvio Berlusconi, i cili humbi të martën shumicën në Dhomën e Deputetëve, bëri të ditur se do të japë dorëheqjen sapo të aprovojë ligjin e stabilitetit të kërkuar nga Bashkimi Europian.

Gjatë gjithë ditës janë ngritur disa hipoteza mbi afatin e largimit të kryeministrit dhe mbi pasardhësin e mundshëm të tij.

 Me sa dihet ligji do të votohet që ditën e shtunë, në formë urgjente për të frenuar rënien e madhe të bursave, të cilat reaguan negativisht pas lajmit të dorëheqjes së mëvonshme të Silvio Berlusconit.

Në mënyrë indirekte një përgjigje lidhur me pasardhësin në postin e kryetarit të qeverisë së Romës mbërriti nga presidenti Giorgio Napolitano.

Në mbremje ai emëroi senator të përjetshëm ekonomistin e shquar Mario Monti, pikërisht ai që mendohet se do të jetë drejtuesi i qeverisë së ardhshme italiane. Emërimi i tij u bë për merita të veçanta, gjë që e parashikon kushtetuta italiane.

Menjëherë më pas, sipas agjencisë së shtypit AGI, edhe vetë Silvio Berlusconi ka pranuar që Mario Monti të jetë kryeministri i ardhshëm.

Për dhjetë vjet ai ka qenë komisioner evropian e nëse vërtet do të emërohet në krye të qeverisë, do të ketë detyrën e vështirë të nxjerrë Italinë nga gjendja e amullisë ekonomike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA