Në tregun e Kosovës shumë shpejt mund të mos ketë më perime apo prodhime bulmetore nga Maqedonia.
Bllokimi i importit të këtyre prodhimeve mund të vijë si kundërpërgjigje e qeverisë së Kosovës ndaj vendimit të qeverisë së Maqedonisë për bllokimin e importit të miellit nga të gjitha shtetet, përfshirë edhe Kosovën.
Ministrja kosovare e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, tha të mërkurën se i është drejtuar me një letër qeverisë maqedonase përmes ambasadës së këtij shteti në Kosovë.
Në këtë letër, ministrja ka shpjeguar se është sqaruar e gjithë cështja dhe kërkohet një zgjidhje e shpejtë nga qeveria e Maqedonisë, përkatësisht hapja e kufirit për eksportin e miellit “Made in Kosova”.
“Në rast se qeveria e Maqedonisë nuk merr masa të shpejta për zhbllokimin e importit të miellit, ne duhet të marrim masa për mbrojtjen e ndonjë prodhimi në të cilin kemi përparësi, duke bllokuar importin e ndonjë prodhimi maqedonas”, citon gazeta “Koha Ditore” ministren Kusari-Lila.
Ajo theksoi se për pengimin e eksportit të miellit në Maqedoni kanë qenë të informuar më parë, mirëpo konfirmimin zyrtar e kanë marrë vetëm së fundmi.
Ndalimi i importit të miellit është bërë me vendim të qeverisë së Maqedonisë, përkatësisht kryeministrit Nikolla Gruevski.
Top Channel