Tetë pretendentët për kandidaturën republikane për presidentin e Shteteve të Bashkuara janë përballur në një debat në shtetin e Miciganit, ku në qendër ka qenë cështja ekonomike.
Mitt Romney, pretendenti kryesor për garën, kritkoi ndihmën e qeverisë për prodhuesit e makinave, ndërsa rivalët e tij u shprehën se bankat nuk duhet të bëhen shumë të mëdha dhe pastaj të falimentojnë.
Debati ishte i pari që nga ngritja e dyshimeve për ngacmime seksuale ndaj rivalit kryesor të zotit Romney, Herman Cain.
Nga ana e tij, Cain i ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar ato si “akuza vrasëse”.
Ndaj thirrjeve të audiencës, që drejtoheshin ndaj moderatorëve të CNBC dhe jo ndaj zotit Cain, ish-administratori i “Godfather’s Pizza” tha se figura e tij shkon përtej këtyre kritikave.
“Qytetarët amerikanë meritojnë më shumë se dikush që gjykohet nga opinioni publik në bazë të akuzave të pabaza”, ka thënë ai.
Drama më e madhe e mbrëmjes erdhi kur guvernatori i Teksasit, Rick Perry ngeci teksa sqaronte linjat e tij politike.
Ai nuk arriti të tregonte emrat e tre departamenteve federale që do të eleminonte nëse do të bëhej president.
“Agjencia e tretë e qeverisë që unë do të mbyllja është ajo e … e tregtisë … tregtia dhe… të shohim, s’e mbaj mend. Më falni. Oops”, tha Perry.
Përgjigjia të cilën po kërkonte ai ishte Departamenti i Energjisë, të cilën ua tregoi më vonë moderatorëve të debatit.
Top Channel