Kombëtarja gjermane e futbollit është mes favoriteve kryesore për të fituar europianin që zhvillohet verën e ardhshme në Poloni dhe Ukrainë.
Me të gjitha ndeshjet e fituara në grup, dhe 100% të pikëve, “Panxerat” kanë impresionuar edhe me lojën e tyre, dhe shihen si skuadra që do të rivalizojë deri në fund Spanjën.
Trajneri i kombëtares, Joakim Lëv ka konfirmuar ambiciet për t’u ulur në fronin europian, ndërsa futbollistët kanë treguar edhe në fushë, se nuk bëjnë asnjë kompromis.
Duke folur me reporterët në prezantimin e fanelës së re që Gjermania do të përdorë në Europian, sulmuesi Lukas Podolski tha në gjuhën e tij amtare, në polonisht, se me këtë fanelë, ai do të shpallet kampion Europe. Fanela e re e kombëtares para tuerneve të mëdhenj, është kthyer në traditë për Gjermaninë, dhe në një burim të mirë të ardhurash për sponsorët.
Gjermania do të luajë të premten në miqësore ndaj Ukrainës në Kiev, ndërsa më pas do të presë Holandën në stadiumin e Hamburgut.
Europiani 2012, do të zhvillohet nga 8 qershor deri në 1 Korrik në Poloni dhe Ukrainë, ndërsa finalja do të luhet në Kiev.
Top Channel